Qumështin e grumbulluar nuk e shitën. Zgjodhën që ta derdhnin në rrugë. Autoboti u zbraz në autostradën Lushnjë Fier në shenjë proteste për çmimin e ulët të shitjes së qumështit.
Blegtorët të cilët u mblodhën me traktorë nga qytete të ndryshme akuzojnë fabrikat për marrëveshje mes tyre për të caktuar një çmim të ulët për këtë produkt.
Protestuesit pretendojnë se importohet qumësht nga shtete të tjera ndërsa prodhimi vendas blihet me një çmim qesharak që nuk përballon as kostot.
“Çmimi i qumështit caktohet nëpër zyrat e punishteve të qumështit. Askush nuk diskuton me ne se sa mendojmë për çmimin për kostot që ne kemi.”
“Po lëvizin çmimet, i ulin. Tani kërkojnë ta ulin prap.”
“Ne kemi problem me çmimin e qumështit dhe me qumësht që vjen nga Hungaria kryesisht. Ka ardhur qumësht pa asnjë kriter e na ka ulur ne çmimin na e ka çuar në fund.”
Blegtorët nuk e bllokuan autostradën këtë të hënë ndërsa thonë se nëse autoritetet nuk ndërhyjnë për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi do ta përshkallëzojnë reagimin e tyre.
Ata paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën ndërsa protesta do të ketë edhe në qytete të tjera.
Klan News