Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta
Kaçamak
Patate me mazë
“Festa e çobanit” traditë, histori & trashëgim i kulturës
“Pa gruan nuk shkoj kurrkund!”, fituesi i çmimit “Çobani më i mirë” rrëfen jetën mes maleve
E premtja e sjell programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndryshe kësaj here, në mes të bukurisë së maleve të Bogës dhe traditës. “Festa e Çobanit” ka mbledhur malësorët për të festuar, ndarë zakonet e traditat, për të kërcyer vallet folklorike, për t’u mbledhur rreth sofrave me gatimet tipike duke gëzuar të gjithë së bashku.
“Festa e çobanit” përzgjedh edhe bariun më të mirë të maleve. Këtë vit, çmimi iu akordua Luc Fran Çerkut. Në një intervistë të shkurtër ai ndan emocionet e para dhe rrëfen jetën e thjeshtë si bari që e ka nisur që prej fëmijërisë. Në të gjitha shtigjet e maleve e shoqëron gjithnjë “nusja”.
Luc Fran Çerku: Jam munduar tërë jetën mos të dukem i keq. Jo të dukem i mirë, por mos të dukem i keq. Pasioni im ka qenë, që i themi ne, zona jonë, mos t’i zhys duart në punën që bëj, të punojmë mirë, të na ecë që të na ketë dikush lakmi, edhe pse është detyra që nuk e preferojnë shumë tani, unë e kam lakmi për vete, kam emocione, faleminderit njerëzve që e vlerësojnë.
Agida Koçi: Prej sa vitesh keni tufat e dhenve?
Luc Fran Çerku: Unë tufat e bagëtive i kam den baba den, domethënë edhe me baba, edhe me gjys, edhe me babëgjysh, edhe me kooperativën që ka qenë Partia e Punës, ne nuk i kemi lëshuar kurrë. Ditën që është shpërbërë kooperativa, unë me vëllain tim kemi pasur mbi 300 krerë të kooperativës, ia kemi dorëzuar popullit e janë shpërndarë. Më pas kemi bërë tufën tonë, që atë ditë nuk e kemi lëshuar më.
Agida Koçi: Pra po themi që keni qenë që fëmijë bari?
Luc Fran Çerku: Tërë jetën shtëpi barinjsh.
Agida Koçi: Sa rrugë mund të bëni ju në ditë pak a shumë, në çfarë vendesh shkoni?
Luc Fran Çerku: Dy ditë më është dashur të dal në Bogë, e treta sot. Sot arrijmë në Theth se këtu përpjetë mund të na ndihmojë një makinë, t’i transportojmë me makinë.
Agida Koçi: Sa krerë keni aktualisht?
Luc Fran Çerku: 150.
Agida Koçi: I mban vetëm vetë të 150-a?
Luc Fran Çerku: Vetë të 150-a, vetë u bëj hyzmet, më ndihmon dhe familja por që shkoj i ruaj, i mjel e i bëj, vetë.
Agida Koçi: Por ndërkohë ju shoqëron edhe bashkëshortja apo dikush për pjesën e gatimit, fjetjes, këtë pjesën e jetesës?
Luc Fran Çerku: Unë pa gruan nuk shkoj kurrkund, sa ta kem. Edhe sot që jemi plakur, unë jam 75 vjeç ajo është te të 70-at dhe unë i thërras nuse, nuk i thërras as plakë që i thotë dikush gruas, “hajde plakë”, “si e ke plakën”, unë e kam nuse tërë jetën meqë e kam pasur nuse kur ka qenë e re, e kam nuse tërë jetën.
“Shije Shtëpie” shkon në male, valle e festë në Bogë
Martojmë malësorin, nusja me duvak, ritet e dasmës së madhe
“Sjellja rreth gacës, hedhja e mollës”, traditat e veçanta të dasmës së malësorit
Në “Festën e çobanit” që programi “Shije Shtëpie” ka sjellë përmes ekranit të Tv Klan, tregohet edhe dasma e malësorit. Kjo traditë grumbullon rituale të veçanta për nusen e dhëndrin e malësisë. Pranë Meritës që shpjegon disa prej ritualeve kryesore, qëndron një vajzë e veshur me xhubletën e martesës, me një shami të bardhë të hedhur në fytyrë dhe stoli të shumta.
Merita: Ritualet e dasmës janë shumë, por ato që janë më të rëndësishme ishte hedhja e mollës, sjellja rreth gacës dhe kjo nuk ishte ulja në karrige, por nënkupton që nusja do të qëndrojë në këtë shtëpi dhe do të shtojë konakun. Zjarri personifikon shtimin e frymës njerëzore në pragun e shtëpisë ku është martuar. Këto janë disa rituale që vetëm në Malësinë e Madhe marrin kuptim ndaj edhe nusja e Malësisë së Madhe duhet të kalojë disa rituale që janë obligim familjar që duhet t’i kryejë secila nuse.
Merita shton se çdo krahinë ka xhubletën e saj, por xhubleta që vajza mban veshur është “xhubleta e madhe” dhe përdoret vetëm për këtë rast. Njëkohësisht, ajo tregon edhe detyrimet që ka familja e dhëndrit kundrejt nuses.
Merita: Nusen zakonisht e përgatit xheverja, është veshtarja më mirë të themi dhe veshtarja është e përzgjedhur nga familja e vajzës, por që paguhet nga familja e djalit. Është një ritual që malet e Malësisë e kanë vendosur për këto ritualet e dasmës që njëra pas tjetrës transmetojnë obligimin që ka familja e djalit kundrejt familjes së vajzës.
Ermelinda Ndoja: Dhëndri, familja e djalit paska shumë obligime. Po familja e nuses çfarë obligimesh ka?
Merita: Ne zakonisht përgatitim pajën për të gjithë anëtarët e familjes, por edhe pajën e nuses që zakonisht fillon nga 5-6 xhubleta deri në 10 xhubleta. Në pajën e saj përgatit edhe “të falat” për të gjithë familjen. Kur përgatitet paja e nuses, paratë i sjell shtëpia e dhëndrit, pra përcaktohet një shumë parash që e vendos familja e vajzës.