Blendi Fevziu ka zhvilluar një intervistë për “Milori Live” në Klan News dhe tha se parlamenti nuk ka pse të ketë 140 deputetë. Fevziu po komentonte ndryshimet kushtetuese që ka propozuar PD dhe tha se vendi ka nevoja shumë të mëdha që selia blu duhet të kishte kërkuar për të ndryshuar.

“Ka nevoja shumë më të mëdha që PD duhet t’i kishte propozuar. Pavarësisht se i pranon apo jo mazhoranca. Parlamenti nuk ka pse të ketë 140 deputetë. Nuk ka pse të zgjidhet një deputet me 10 mijë vota. Ka deputetë që nuk kanë folur asnjë ditë të vetme. Parlamenti nga 140 vetë mund të shkonte në 100 veta. Mund të vendosej senati. Mund të krijohej një balancë më e mirë”.

Fevziu u shpreh se ndryshimi thelbësor duhej bërë në sistemin zgjedhor. Ai theksoi se ndryshimet kushtetuese të 2008 kanë sjellë një klasë politike të paaftë dhe gjatë 13 viteve të fundit ka hapa mbrapa krahasuar se ku ishim dikur.

“Ndryshimi thelbësor duhej bërë në sistemin zgjedhor. Që pas ndryshimeve të 2008 që në atë kohë kam menduar që  ishin pozitivisht për vendin rezultuan në një dështim. Dështuan në prodhimin e një klase politike krejtësisht të paaftë. Krejtësisht të demotivuar. Që varet në ganxhën e një kryetari partie që nuk bën asgjë.  Pas 13 vitesh mund të themi me gojën që në raport me klasën politike që ka prodhuar këto 13 vjet ka hapa të ndjeshëm mbrapa krahasuar me ato që kishim dikur. Ju siguroj se në parlament ka 75%-80% të deputetëve që nuk do të merrnin as minimumin e votave”. /tvklan.al