Për gazetarin Blendi Fevziu, Partia Demokratike mund ta kishte zgjidhur shumë lehtë situatën brenda saj. I ftuar në Milori Live, Fevziu thotë se nëse Basha dhe Berisha do të kishin shkuar në votim, nuk do kishim përplasjen që po ndodh sot.

“…PD është në moment shumë të rëndësishëm, mund të jetë sot, mund të zgjasë edhe disa javë, mund të zgjasë edhe disa muaj, mos duket kaq tronditëse, derisa t’i japë një drejtim vetes. Deri tani ka qenë e paaftë për të treguar një lloj kohezioni. Unë kam një frikë shumë të madhe që në PD më shumë rëndësi po i japin pjesës proceduriale. A mund ta zgjidhte PD më thjeshtë këtë gjë? Me lehtësinë më të madhe. Mjafton të merrte një nga shembujt e saj, që në momentin që nisi përplasja. E para unë mendoj që Basha ka pasur një fushatë katastrofale nga ana strategjisë. Sepse ai duhet të kishte dalë në bazë në të njëjtën kohë që Berisha doli në bazë. Basha zgjodhi ta injoronte fenomenin Berisha dhe atë që po krijohej brenda PD derisa ajo i erdhi në derë dhe pastaj s’mund ta mohonte më, siç ndodhi me Kuvendin. Ndërkohë duhet të kishte dalë në bazë. E dyta është PD e kishte shumë të thjeshtë, po të dojë që të shkojë mbi bazën e një principi demokratik, dhe mbi bazën e asaj që është një parti që do u shërbejë njerëzve, njerëzve opozitar sidomos, por edhe të qytetarëve të gjithë Shqipërisë. Shkonte dhe votohej. Bëhej një votim, caktohej një datë. Edhe sot është e mundshme. Votëbesohet kryetari. Zgjidhej shumë kollaj, sa të përplasnin njëri-tjetrin, shkonin në votim. Shkonin në votim, shihnin kush ka shumicën”.

Blendi Fevziu shton më tej se një kryetar që nuk ka shumicën, nuk mund ta mbajë partinë. Sipas tij, vetë Basha duhet të dalë të votohet për të vërtetuar që ka mazhorancën në PD.

“Basha nëse nuk ka shumicën dhe këtë duhet verifikojë, duhet të dalë të votohet ai vetë. Duhet ta kërkojë ai vetë, jo t’ia kërkojnë të tjerët. Nëse nuk ka shumicën nuk ka si e mban partinë. Nuk e ka mbajtur askush deri më sot partinë me forume. Partitë e vogla po, partitë e mëdha nuk mbahen me forume. O Basha është mazhorancë dhe duhet të vërtetojë këtë, o nëse Basha nuk është mazhorancë, nuk mund të jetë më drejtues”./tvklan.al