Policia e Kurbinit ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së Dod Mamlit, ngjarje që ndodhi të hënën.
Policia njoftoi se është shpallur në kërkim Dashnor Tota, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me pistoletë Mamlin.
“Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij”, njoftoi policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Vilëz të Kurbinit rreth orës 18:00. Siç ka raportuar më herët edhe gazetari Martin Marku, Mamli ka marrë 3 plumba, 1 në kokë dhe 2 në trup.
Në lidhje me ngjarjen u shoqëruan edhe disa persona, ndërsa kishte dyshime se ngjarja mund të lidhej edhe me motivet e hakmarrjes. Kjo për arsye se Dod Mamli është baba i dy personave të përfshirë në atë që njihet si masakra e Mamurrasit, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.
Megjithatë, falë hetimeve të policisë, është zbuluar se në fakt motivi lidhej me çështjet e pronësisë.
Vendi ku u ekzekutua Mamli ishte malor dhe i thepisur. Për këtë arsye u deshën mbi 3 orë që atje të shkonte autoambulanca për ta marrë trupin e pajetë të tij. Siç duket autori ka përfituar si nga zona që nuk mbulohet me kamera dhe terreni i pyllëzuar që të largohej./tvklan.al