Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e rendit Shqipërinë në vend të parë sa i takon fluksit ajror të pasagjereve për muajin Mars të këtij viti. Sipas klasifikimit më të fundit nga ky institucion vendi ynë e ka rritur me 233,3% trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019.
Nga 47 vendet e marra në shqyrtim, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” lë pas vende me traditë në turizëm si Kroacia, Franca, Greqia, Portugalia, Turqia etj.
Gjithashtu referuar shifrave zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar tashmë aeroporti ynë zë edhe fluksin më të lartë në Rajon, me mbi 2.8 milionë pasagjerë vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024. Ndërsa edhe viti 2023 u mbyll me një rekord të përpunimit të pasagjerëve, me mbi 7.2 milionë pasagjerë në Rinas.
Për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve dhe turistëve, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” po punohet paralelisht për zgjerimin e terminalit, rehabilitimin e pistës, si dhe shtimin e vendqëndrimeve të avionëve.
E duke iu referuar deklaratave të Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku falë investimeve të reja në këtë aeroport, do të jenë të mundura edhe fluturimet transoqeanike me SHBA-në.
Klan News