I ftuar mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, një prej punonjësve të Policisë Rrugore. Gerhard Baka tregoi akset më problematike sa i përket trafikut në kryeqytet.
“Për momentin që po flasim i ndajmë në dy faza. Është orari i paradites ku fluksi më i madh është afër njësive tregtare, rrugët ku kanë njësitë tregtare, dyqanet që është zona “Myslym Shyri”, “Rruga e Dibrës” që është kthyer në një problem sistematik jo vetëm për pjesën e trafikut, por edhe për parkimet e gabuara sepse njësitë janë në anë të rrugës. Është rruga “Abdyl Frashëri” , “Rruga e Kavajës” vazhdon të jetë një problematikë dhe për shkak të fluksit dhe punimeve që po kryen në lidhje me Unazën e Madhe është Lapraka, “ish-sheshi Shqiponja” dhe rruga “Dritan Hoxha”, tha Gerhard Baka.
Duke u përqëndruar tek nata festive e Vitit të Ri, Gerhard Baka u shpreh se patrullat e policisë do të jenë në gatishmëri për çdo rast. Ai sqaroi gjithashtu se do ketë një bashkëpunim mes Policisë Rrugore, forcave Shqiponja dhe Policisë Bashkiake për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike për qytetarët.
“Jemi 100% efektivë në menaxhimin e trafikut. Jemi me orar të zgjatur, punojmë me 12 orarsh. Jemi në funksion të trafikut dhe të gjitha shërbimet jo vetëm të qarkullimit rrugor, por edhe patrullat, shërbimet e Shqiponjave, kemi dhe marrëveshjen me Policinë Bashkiake të cilët jemi të gjithë në funksion të menaxhimit të fluksit të fundvitit. Jemi optimistë që pasnesër bëhet inaugurimi i Unazës së Madhe dhe domosdoshmërisht shpresojmë dhe urojmë që ajo të krijojë një frymëmarrje për trafikun e kryeqytetit. Nata do të vazhdojë sipas planit operacional që ka vendosur Drejtoria e Përgjithshme, Drejtoria e Policisë Vendore dhe Komisariati i Policisë Rrugore. Do të jenë shërbimet e përforcuara në dy faza, do të jetë faza e parë ku mbas orën 22:00 deri në orën 00:30 përqendrimi do të jetë afër sheshit Skënderbej, aty ku do të jetë dhe epiqendra e festimeve dhe pastaj për t’u shpërndarë në pikat kryesore, rrugët kryesore interurbane ku do të vazhdojnë patrullimet e dubluara të patrullave të Policisë Rrugore. Do të ketë dhe pika kontrolli për ushtrimin e kontrollit në lidhje me përdoruesit që kanë konsumuar lëndë narkotike apo alkool”, përfundoi Gerhard Baka./tvklan.al