Këshilla e Fondit Ndërkombëtar Monetar për kujdes ndaj nivelit të borxhit publik është drejtuar edhe ndaj vendit tonë, megjithatë ekspertë të ekonomisë mendojnë se stoku aktual i borxhit të jashtëm është nën kontroll dhe po menaxhohet me kujdes nga qeveria.
Artan Hoxha: “Totali i kredive të marra nga Shqipëria në raport me PBB, ato të projektuara dhe ato faktiket janë parametra të kënaqshëm. Këshilla e FMN-s ishte me vend për të thënë që veçanërisht në vitin 2010,2011, dhe 2012 politika fiskale shqiptare duhet të luajë me një deficit buxhetor vjetor, pra që krijon borxh të ri sa më të reduktuar dhe të mos luaj me rritje të mëdha të këtij deficiti.”
Ministria e Financave ka në plan marrjen e një borxhi të ri prej rreth 300 deri 350 milionë eurosh nëpërmjet emetimit për herë të parë të eurobonove në tregun e kapitalit.
Një pjesë e kësaj shume do të shkojë për rifinancimin e kredisë sindikale prej 200 milionë eurosh të marrë vitin e kaluar, interesat e së cilës kanë qenë të larta për shkak të krizës financiare.
Artan Hoxha: “Janë të gjitha mundësitë, të gjitha gjasat që interesi i kësaj kredie të marrë nëpërmjet eurobondeve në këtë vit të jetë më i ulët se interesi i kredisë së marrë një vit më parë nga disa banka. Kjo do të thotë me kredinë e re me interes më të ulët shlyhet kredia e vjetër me interes më të lartë dhe në një farë mënyrë na mbetet të paguajmë një kredi me interes më të ulët.”
Zëvendësimi i borxhit të më interesa më të ulëta është këshilluar edhe nga Banka e Shqipërisë.
Ministria e Financave ka përzgjedhur 6 banka prestigjioze ndërkombëtare, dokumentacion i hartuar nga të cilat do të prezantohet në qendrat financiare më të rëndësishme të Evropës duke synuar pozicionimin atraktiv të Shqipërisë për investitorët potenciale./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro