“Rënia 5 % në rajon, nuk e dimë sa zgjat pandemia”
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia e Ballkanit do të bjerë këtë vit me 5%, ndërsa vlerëson masat që kanë marrë qeveritë në këtë periudhë pandemie për të mbështetur familjet me ndihma ekonomike, bizneset me kredi të buta dhe të papunët me pagesë papunësie.
Poul Thomsen, drejtori i Departamentit Europian të FMN-së, thë në një konfrencë të dedikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor se politikat e marra nga autoritetet edhe pse kanë rritur defiçitin janë në drejtimin e duhur. Zyrtari i lartë i Fondit artikuloi disa herë fjalën krizë.
“Bizneset po mbështeten me kredi të buta, familjet me të ardhura direkte dhe të papunët me pagesën e papunësisë. Defiçiti fiskal në Europë është rritur me rreth 6% të GDP-së. Është i lartë por i përshtatshëm në rrethanat që kemi”.
Fondi shpreh shqetësimin e rritjes së borxhit publik dhe dhënies së paketave të ndihmës jashtë mundësive financiare të qeverive, pasi siç thekson kreu i departametit për Europën, pandemia nuk dihet sa do të zgjatë. Ai kërkon kujdes nga shtetet që po emetojnë korona-bonde.
“Të gjitha vendet, dhe ato me borxh të lartë, duhet të kenë kujdes që të mos zgjerojnë risqet në shumë pozicione financiare. Në këto kohë ne nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia”.
Një tjetër shqetësim i FMN-së është nëse politikat e uljes së interesave nga bankat qëndrore do të transmetohet në tregje, për shkak se normat e interesit këto kohë kanë qenë mjaft të ulëta. Në raportin e prespektivës ekonomike globale, FMN vlerësoi se Shqipëria do të ketë 5% recesion këtë vit, ndërsa eurozona do të ketë tkurrje me 7.5%.
Tv Klan