Një fotografi e shkrepur në Durrës, ku Ben Blushi shfaqej krah Lulzim Berishës, ish – kreut të bandës së Durrësit, i cili doli nga burgu pak kohë më parë, është bërë shkak për debat në studion e emisionit “Opinion”, këtë të enjte.

I ftuar përballë gazetarëve, kreu i Libras u pyet për këtë fotografi, që ditët e fundit ka bërë xhiro nëpër portalet në vend.

Teksa theksoi disa herë se nuk e njihte Lulzim Berishën, Blushi u shpreh se ky ishte një kurth që i është bërë. Ai shpjegoi se nuk njihte asnjë nga dy personat që kishin dalë me të në foto dhe se ata ishin dy prej qindra personave që kishte takuar atë ditë në qytetin e Durrësit. Për Blushin, pas kësaj fotoje qëndron Kryeministri Edi Rama.

Keni luftuar kundër banditëve në parlament, ndërkohë jeni fotografuar një ose dy ditë më parë me Lulzim Berishën, në mes të Durrësit me dorën në qafë, ka bërë xhiron e të gjithë portaleve fotoja…

“Dhe mirë ka bërë. Të njohin të gjithë ata që deklarohen si votues personal të Edi Ramës. Unë kam që nga Janari ndoshta dhe më herët, që eci shumë nëpër Shqipëri. Sidomos tani në kohë fushate, që kjo është pak më intensive dhe shumë më ritmike. Nuk dua ta përsëris, por vetëm në Tiranë unë eci 5 -6 kilometra në ditë, por edhe në Durrës e kam bërë 2 -3 herë. Këtu jemi në bulevardin kryesor të Durrësit, shih sa njerëz ka mbrapa dhe përreth dhe një njeri që e njeh Lulzim Berishën, nuk del në mes të qytetit me të, nuk është një fytyrë për t’u parë, kjo provon që nuk e njihja fare. Çfarë ndodhi? Siç erdhën 100 veta, unë kam ecur shumë atë ditë në Durrës më ndaluan edhe këta dy tipat. As nuk e dija fare kush ishin dhe më thanë a mund të bëjmë një foto? Pa arritur akoma në shtëpi, më marrin në telefon dhe më thonë, ore si ke dalë ti me Lulzim Berishën në fotografi? Unë nuk e njoh Lulzim Berishën, nuk e njoh realisht dhe ju jeni njerëz që më njihni prej 40 vjetësh, e dini që kam shumë defekte, por banditë nuk njoh. Edhe fotoja ku dilte? Se fati im është që njoh këta që kanë portalet kryesore të Shqipërisë dhe më thonë: Po na marrin nga zyra e Kryeministrisë dhe po na thonë botoni foton. Tani, ç’punë ka zyra e Kryeministrit? Të sponsorizojë…”

E ftuar në studio, gazetarja Anila Basha shprehu habi se si është e mundur që nuk e njeh Lulzim Berishën, duke qenë se lajmet për të janë pasqyruar nga të gjitha mediat. Basha i sugjeroi Blushit që t’i njohë njerëzit, e të mos i hedhë dorën çdokujt, vetëm sepse është në fushatë. Këtë Blushi e konsideroi si akuzë, se përse nuk njeh kriminelët.

“Kjo thotë që nuk e ka fajin ai që e nxjerr nga burgu, por ai që nuk e njeh. E ke fajin ti që nuk e njeh.

Mua më bën nder çdo njeri, edhe mikesha ime e vjetër Anila, që mendon dhe më akuzon që nuk njeh asnjë kriminel. Si është historia e Lul Berishës? Në muajin Janar apo shkurt, nuk e mbaj mend, unë kam mbajtur në parlament, të paktën tre fjalime, kundër tre vetave: Edi Ramës, Vangjush Dakos dhe Lulzim Berishës. Pse? Sepse një vrasës iu la i lirë, ai ka vrarë 6 veta dhe aty më ka dalë në pritë. Dhe ju duhet të çoheshit të gjithë dhe të më mbronit mua dhe jua shpjegoj unë pse. Unë kam mbajtur të paktën tre fjalime ku kam thënë se një njeri që ka vrarë 6 veta, me një shkresë të Bashkisë së Durrësit, me firmë të Vangjush Dakos, që akoma nuk ka dalë në televizor dhe nuk ka thënë; më falni për atë që kam bërë, përkundrazi e ka mbrojtur aktin e lirimit të Lulzim Berishës nga burgu. Gjykata ka marrë një vendim duke i hequr këtij njeriu vendimin me burgim të përjetshëm. Dhe ky njeri, i akuzuar për 6 vrasje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, a mund të më dalë mua në mes të bulevardit të Durrësit, në sy të gjithëve? A e kuptoni në çfarë vendi jetojmë? Ai është prova e kriminalitetit e kësaj qeverie, që mbron kriminelët dhe i lë të lirë dhe i nxjerr në pritë. Si ta njihja, ai duhet të ishte në burg. E kuptoni këtë, pse duhet të njoh një kriminel, një njeri që ka vrarë 6 vetë?”.

/tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/gN5gi4WbsQw