Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shënuan një hap tjetër përpara në Ankara në sheshimin e kontradiktave mes Turqisë dhe Greqisë.

Mitsotakis nënvizoi se nuk duhet të mbetemi rob i së djeshmes sepse ka shumë gjëra që i bashkojnë dy popujt atë grek dhe atë turk.

Vetëm në 12 muajt e fundit Erdogan dhe Mitsotakis janë takuar katër herë duke shënuar një qasje të mirëkuptimit të ndërsjellë, pavarësisht nga dallimet e njohura mes tyre sidomos për ishujt në detin Mesdhe.

Të dy liderët paraqitën objektivin që është të dyfishojnë tregtinë dypalëshe në një periudhë pesë vjeçare. Po ashtu vizitorët turq si dhe familjet e tyre po shijojnë frytet e nismës për t’i lejuar të udhëtojnë në dhjetë ishuj grekë pasi lëshimi i vizave zgjat vetëm disa minuta.

Edhe në fushën e emigracionit, po jep rezultat bashkëpunimi mes policisë dhe rojes bregdetare kundër kontrabandistëve.

Mitsotakis shprehu shqetësimin për faktin se Manastiri i Chorës ka ndryshuar karakter dhe tani do të funksionojë si xhami.

Greqia mbështet rrugën e anëtarësimit të Turqisë, në BE.

Erdogan theksoi se të dyja shtetet po fokusohen në axhendën pozitive mes tyre.

Presidenti turk ngriti çështjen e minoritetit turk në Traki ndërsa lidhur me çështjen e Qipros ai bëri thirrje për një zgjidhje të drejtë.

Për shndërrimin e Manastirit të Chorës në xhami, Erdogan ka theksuar se ky ishte një vendim i marrë në vitin 2020 me qellim ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Presidenti turk tha se pret nga Greqia që të dyja shtetet fqinje të luftojnë së bashku organizatat terroriste si FETO. Turqia dhe Greqia nënshkruan memorandume bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes civile.

Klan News