Një shtëpi funerale në SHBA ku u gjetën 190 kufoma të dekompozuara do t’u paguajë 950 milionë dollarë familjarëve të viktimave.
“The Return to Nature” në Penrose, Colorado u kishte dhënë hi fals të afërmve të viktimave. Një gjykatës dha vendimin, por nuk ka gjasa që të afërmit të marrin paratë pasi pronarët e shtëpisë funerale, Jon dhe Carie Hallford kanë pasur probleme të rënda financiare.
Asnjë prej tyre nuk u paraqit në seancë. Jon Hallford është në burg, ndërsa gruaja e tij ka dalë në liri me kusht.
“Nuk do të marr kurrë asnjë qindarkë prej tyre kështu që s’e di, është acaruese”, tha për “AP” Cristina Page e cila kishte paguar shërbimin funeral për të djegur trupin e të birit në vitin 2019. Ajo kishte ruajtur për 4 vjet atë që besonte se kishte qenë hiri i të birit përpara se trupi i tij të identifikohej. Page shtoi se mungesa e çiftit në gjykatë ishte një shuplakë në fytyrë.
Avokati i viktimave, Andrew Swan u shpreh se ndonëse problemi financiar i çiftit dihet, klientët duan përgjigje.
“Do të doja që ata të kishin marrë pjesë vetëm sepse nëse do t’i kisha vënë në podiumin e dëshmitarit, do të ishin nën betim dhe do t’i pyesja se pse e bënë këtë, jo një herë, jo dy herë, por qindra herë”.
Më shumë se 100 familjarëjanë të përfshirë në këtë çështje që ka mbetur ende e hapur nëse paraqiten raste të tjera.
Mbi çiftin Hallford rëndojnë qindra akuza shtetërore dhe federale përfshirë abuzim i kufomës, vjedhje, pastrim parash dhe falsifikim.
Atyre u është ofruar një marrëveshje fajësie nga prokurorët e shtetit për 190 akuzat e abuzimit ndaj një kufome. Megjithatë, është ende e paqartë nëse qëndron ende.
Shtëpia funerale ishte specializuar në funerale ku nuk përdoreshin kimikate, përfshirë edhe lëngun e balsamosjes dhe kufomat varroseshin në një arkivol të biodegradueshëm.
Hetimi nisi për shkak të raportimeve për kutërbimin që vinte nga prona dhe autoritetet zbuluan tetorin e shkuar që në të gjendeshin 115 kufoma. Jon Hallford u akuzua për tentativë për të mbuluar “ruajtjen e papërshtatshme të mbetjeve njerëzore”.
“Funeralet e gjelbra” lejohen në Colorado por kufoma duhet të varroset brenda 24 orësh ose të ngrijë. Aktualisht, shtëpive funerale në Colorado nuk u kërkohet asnjë kualifikim.
Masa më të forta ligjore janë iratuar që pas publikimit të skandalit, por hyjnë në fuqi në vitin 2026./tvklan.al