Gazeta gjermane “Die Welt” ka publikuar një artikull lidhur me tensionet Greqi-Turqi për Mesdheun Lindor. Në këtë artikull, thuhet se Erdogan kërkonte të provokonte një incident ushtarak me Greqinë.
Sipas gazetës gjermane, nëse do të varej vetëm nga Erdogan, ky i fundit do të kishte fundosur kohë më parë një anije greke në Mesdhe.
Më konkretisht, “Die Welt”, duke ju referuar burimeve ushtarake turke, shkruan se Erdogan u kishte kërkuar disa ditë më parë gjeneralëve të ushtrisë që të fundosnin një anije greke, por të siguroheshin që të mos vritej askush.
Por kjo ide u refuzua prej tyre. E në këtë pikë, sipas “Die Welt”, dikush tjetër sugjeroi për të rrëzuar një avion luftarak grek, por piloti të kishte mundësi të hidhej me parashutë dhe të shpëtonte. Por gjeneralët turq refuzuan përsëri dhe plani i Presidentit nuk u vendos në zbatim.
Edhe sot, Erdogan ka folur me tone kritike ndaj Greqisë dhe shteteve të tjera të BE, të tilla si Franca që mbështesin Athinën.
“Na nxjerrin përpara një shtet që gjatë gjithë historisë së saj fshihet pas vendeve të tjera, dhe përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre të fshehta. Është qesharake për vendet e tjera që të përdorin Greqinë si karrem, e cila është e paaftë, kundër një fuqie rajonale dhe globale siç është Turqia. Çfarëdo që të bëjnë, nuk do të na ndalojnë dot në Egje dhe në Mesdheun Lindor. Epoka e atyre që kolonizuan çdo vend ka mbaruar”, u shpreh Presidenti turk Erdogan gjatë një aktiviteti me rastin e rifillimit të punës së gjykatave e prokurorive. /tvklan.al