Dritan Rexhepi qëndroi i hedhur në përballjen e parë me Gjykatën e Posaçme që miratoi këtë të premte masën e sigurisë “Arrest në burg” lëshuar ndaj tij në vitin 2020.
Në një seancë me dyer të mbyllura SPAK lexoi akuzat që ka ngritur për Rexhepin si personi që porositi rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës 4 vite më parë, për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine në Britani. Ai gjithashtu konsiderohet si drejtues i një organizate kriminale.
Nëpërmjet avokates së tij Joana Qeleshi, Dritani njohur edhe me emrin Gramoz Rexhepi pretendon pafajësi për këto akuza.
Pas konfirmimit të masës, në një seancë të dytë në prezencë të medias, Dritan Rexhepi mori pjesë në gjyqin ku po gjykohet për ngjarjen dhe mori dijeni mbi ecurinë e procesit.
Ai tha se ishte dakord me trupën gjyqësore që po shqyrtonte çështjen e tij dhe deklaroi se do të ishte i pranishëm gjatë seancave në vijim.
Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia disa ditë më parë, duke u vënë për herë të parë para drejtësisë shqiptare që nga viti 2006 kur edhe u arratis.
Veç akuzave për rrëmbimin e Jan Prengës, ai është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e një efektivi policie në vitin 1998 dhe me 2 vite burg për falsifikim të dokumenteve pasi gjatë kohës që ishte në kërkim prodhoi dokumente identifikimi nën emrin e një personi tjetër.
Tv Klan