Non grata jo vetëm liderët, por edhe kompanitë që i mbështesin
Në fund të vizitës së tij në Bosnje dhe Hercegovinë, i dërguari special i presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksoi se Bosnja dhe Hercegovina dhe shtetet e tjera te rajonit duhet t’i bashkëngjiten iniciativës së Ballkanit të Hapur.
“Unë e kuptoj hezitimin për Ballkanin e Hapur. Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që integrojnë ekonomikisht rajonin, përfshirë Ballkanin e Hapur, iniciative qe aktualisht përfshin Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Shqipërinë. Njerëzit e biznesit, të rinjtë, ekonomitë po zhvillohen dhe autoritetet boshnjake duhet të kuptojnë se ky është një shans dhe ata duhet të shkojnë në atë drejtim. Ne e shohim Ballkanin e Hapur si një shans dhe do të sigurojmë që kjo iniciative të jetë efektive jo për përfitime politike, por për të ngritur rajonin në nivelin e standardeve evropiane”.
Sa i përket vendimeve për sanksione dhe shpallje non grata të politikanëve të tjerë nga rajoni, i dërguari special i SHBA-së theksoi se do të ndëshkohen me non grata dhe sanksione ekonomike jo vetëm liderët, por edhe kompanitë që i mbështesin.
“Sanksionet zbatohen për individë dhe politikanë që duhet të jenë personalisht të përgjegjshëm. Ne i kemi këto akte të gatshme në tavolinë të shoqëruara me mjete, sanksione ekonomike që mund të vendosen kundër liderëve, por edhe ndaj atyre kompanive që i mbështesin ata”. Escobar ka vijuar vizitën në Malin e Zi ku vazhdon përshkallëzimi i krizës qeveritare dhe mosmarrëveshjet në radhët e shumicës dhe po shtohen zërat për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Klan News