Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se Alexander “Sasha” Kasanof është emëruar zëvendës ndihmës i sekretarit për Ballkanin Perëndimor, një post që deri në muajin Maj e mbante ish i dërguari për rajonin, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen e DASH-it në internet, Kasanof është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë.
Në njoftim thuhet se zoti Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv i ish-nënsekretares për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën amerikane në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më agresionit rus në Ukrainë, kishte fituar çmimin James Clement Dunn, një çmim i themeluar në vitin 1980 për të njohur punën e mirë të diplomatëve të karrierës në Departamentin e Shtetit.
Në njoftim thuhet se në Uashington ai ka shërbyer si drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale.
Alexander “Sasha” Kasanof, thuhet në njoftim, ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins dhe në Kolegjin Hamilton. Ai flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht. /VOA