Kosova mund të mos i ketë votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës për shkak të mospërmbushjes së çështjes së Asociacionit.
Këtë shqetësim shprehu i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë një konference me gazetarët nga vendet e Ballkanit.
Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor: Çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme nga disa shtete anëtare. Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka bërë zotim të qartë për trajtimin e minoriteteve dhe kjo përfshin edhe Asociacionin.
Ndonëse SHBA nuk ka votë në këtë organizatë evropiane, Escobar shprehu mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës ndërsa i bëri thirrje qeverisë Kurti të bashkëpunojë me aleatët.
Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor: Qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike.
Kjo ishte konferenca e fundit e Gabriel Escobar, në postin e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, pasi sipas DASH do të trasferohet në një tjetër pozicion.
Klan News