Gazetari i Tv Klan Ermal Vija ka shpjeguar të gjithë dinamikën e ngjarjes së 10 Prillit në kryeqytet, ku u arrestua Orgest Bilbili 30 vjeç, person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë.

30-vjeçari që dyshohet se është autor i disa përplasjeve me armë në qytetin e Lushnjes, mbeti i plagosur gjatë përballjes me efektivin e forcave “Shqiponja”, ndëra në Spitalin e Traumës ju komunikua masa e sigurisë arrest në burg.

Gazetari Ermal Vija, i ftuar në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur mesditën e 10 Prillit në rrugën “Sitki Çiço”, duke sqaruar se e gjithë dinamika e krimit është e filmuar nganjë kamera sigurie.

Spartak Koka: Përse akuza e vrasjes së mbetur në tentativë të oficerëve të policisë? Ka tentuar të qëllojë Orgest Bilbili në momentin kur është kapur nga oficeri i policisë së njësisë Shqiponja?

Ermal Vija: Në fakt dinamika e ngjarjes, sipas Policisë së Shtetit apo dhe sipas Prokurorisë, është e fiksuar përmes kamerave të sigurisë që ndodhen në zonë por edhe në dëshminë e vetë punonjësit të policisë, i cili ka kryer arrestimin por dhe plagosjen e Orgest Bilbilit, i cili ka treguar se fillimisht ka konstatuar një person me kapuç, i është dukur i dyshimtë, më pas ka kërkuar ta ndalojë për shkak se ndodhemi në pandeminë kur personat duhet të lëvizin duke marrë një leje. Në momentin që Orgest Bilbili nuk i është përgjigjur punonjësit të policisë për t’i dhënë këtë deklarim apo për t’i treguar një dokument, ai është larguar. Më pas punonjësi i policisë e ka ndjekur dhe në ndjekje e sipër ka qëlluar në ajër për të ndaluar. Sërish Bilbili nuk i është përgjigjur. Orgest Bilbili është ndjekur në rrugën “Sitki Çiço” në kryeqytet, atje ku fillimisht ai qëlluar në ajër dhe më pas i ka drejtuar armën për shkak se dhe Bilbili mbante një pistoletë në dorë. /tvklan.al