Në vrasjen e 26-vjeçarit Kristian Breshanaj në orët e para të mëngjesit të 24 Majit në qytetin e Vlorës, atentatorët përdorën një automjeti tip ‘BMW’ me targa greke.
Makina u gjet e djegur në flakë nga policia, ndërsa brenda saj u konstatua një kallashnikov që besohet të jetë përdorur për vrasjen e 26-vjeçarit Breshanaj.
Gazetari Enrik Mehmeti, i ftuar në emisionin ‘Uniko’ nga Spartak Koka në Klan Plus, zbuloi edhe një detaj të rëndësishëm, përse në atentatet ne qytetin e Vlorës, autorët përdorin makinat tip ‘BMW’.
Enrik Mehmeti: Është një kuriozitet që vrasjet, atentatet, shumë prej këtyre kanë ndodhur me ‘BMW’. Kjo është një ‘BMW’ që mund të falsifikohet, mund t’i bëhet kopje. Por ka pasur dhe ‘BMW’ me çelës katror që ishte gati e pamundur vjedhja e tyre. Sepse zakonisht pas ngjarjeve hetohen lavazhet, hetohen për kopjet e çelësave. Këto lloj çelës janë gati të pamundur për t’u vjedhur.
Spartak Koka: Nga ngjarjet kriminale që ndodhin në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, përdoret Benzi 220. Kurse në Vlorë ndodh e kundërta, përdoret dhe BMW-ja. Përse përdoret ‘BMW’?
Enrik Mehmeti: Mendohet që pikërisht për shkak të fortësisë që ka makina dhe pjesës së maskarinos së poshtme, sepse të paktën nga mekanikët që kam pyetur, është që edhe në qoftë se rastis në një rrugë të keqe apo është në ndjekje nga policia, vetë automjeti qoftë për pjesën e poshtme ka rezistencë, por edhe mund të rezistojë dhe një distancë të madhe rruge me sadokart të çarë, me vajin e rrjedhur, pra ka një motor jashtëzakonisht shumë të fortë.
/klanplus