Një ditë para zgjedhjeve në SHBA, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët.

Në konferencën për media pas takimit me homologun e saj  nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet atje.

Për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqjen e ndërmjetësit Miroslav Lajçak, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.

Ajo sërish përmendi edhe rrezikun për një konflikt të mundshëm në Ballkan.

“Këshilli Evropian ka paralajmëruar kohëve të fundit një paralajmërim që thekson se nëse NATO dhe SHBA nuk ndërmarrin hapa të nevojshëm në këtë drejtim, ekziston mundësia e rikthimit të konfliktit në Ballkan”, tha Gërvalla.

Kryediplomati i Luksemburgut tha se synim i vendeve evropiane është të shmanget çfarëdo lloj lufte në Ballkan.

“Ne duhet të bëjmë çmos që ta shmangim luftën. Nëse jemi të dobishëm do ta shmangim çfarëdo lufte. Kjo është arsyeja pse rajoni duhet ta ketë një perspektivë evropiane por jo pas 200 vitesh”, tha Bettel.

Bettel ka zhvilluar takime edhe me krerët e tjerë të institucioneve.

Tv Klan