Në qytetin e lindjes u rikthye pas 12 vitesh për të ndarë një copëz të artit të tij. I njohur ndërkombtarisht si një ndër baritonët më të mirë të skenave botërore, Gëzim Myshketa, zgjodhi Amfiteatrin Antik të Durrësit për shfaqjen që bëri bashkë jo vetëm artdashës shqiptarë, por edhe turistë të huaj.
I shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, Myshketa interpretoi një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke ofruar për të gjithë të pranishmit jo vetëm një koncert me pjesë operistike nga disa prej arieve më të njohura botërore; si opera “Karmen” e “Traviata”, por edhe pjesë emblematike si “Për ty atdhe”, pjesë nga kompozitori i famshëm Ennio Morricone, Nino Rota etj.
Ndonëse është ngjitur në skenat më prestigjioze botërore, ky koncert gala në vendlindje mbarte një emocion të veçantë për Myshketën. Koncerti u ndoq nga qindra qytetarë dhe të ftuar nderi, përfshi edhe presidentin Bajram Begaj.
I titulluar “Durrës opera art of singing”, iniciativë që lindi si një ëndërr e këngëtarit lirik për t’i dhënë një tjetër peshë qytetit të tij të lindjes në fushën operistike, ai u organizua në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe Qendra Muzeore Durrës.
Tv Klan