Mbrëmja e sotme ka rezervuar një nga koncertet më të bukura në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Premiera “Kërcimtari fluturues”, një shfaqje homazh në nder të Rexhep Çelikut do të vendoset në skenë në orën 19:00 nga Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore.

Rexhep Çeliku është një prej figurave që është simpatizuar jo vetëm për talentin e tij skenik, por edhe për personalitetin. Kontributi i tij në ansambël ka qenë i jashtëzakonshëm duke përsosur vallet tradicionale, por historia e lidhjes së tij me artin është mjaft e veçantë.

Në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, drejtori i Ansamblit Kombëtar, Sokol Marsi tregon se edhe atij i është dashur të shfletojë për të mësuar si u bë Rexhep Çeliku pjesë e trupës. Ai ishte një i ri  që punonte në ndërtim për të mbajtur familjen kur dy nga profesorët më të shquar në fushat e tyre, Loro Boriçi dhe Panajot Kanaçi ‘luftonin’ për ta bërë pjesë të futbollit apo valles.

Sokol Marsi: Rexhep Çeliku ka ardhur si një njeri i rastësishëm. Ka qenë duke ndihmuar familjen, si një çun i ri në atë kohë, flasim në ato vite dhe punonte në ndërtim.

Aldo: Në ndërtim?

Sokol Marsi: Po dhe ka qenë një dilemë shumë e madhe sepse ky kishte filluar futbollin, donte të bëhej futbollist për fizikun e vet dhe ka qenë një dilemë pasi profesori i madh i futbollit, Loro Boriçi e kishte spikatur dhe i kishte thënë që “ti duhet të bëhesh futbollist në të ardhmen” në të njëjtën kohë që rastësisht e shikon profesor Panajot Kanaçi, një tjetër mjeshtër i valles  dhe i thotë që “ti djalë ke të dhëna fizike dhe duhet të afrohesh pranë Ansamblit Kombëtar për t’u bërë valltar”. Tani imagjinoje dilemën e një adoleshenti.

Marsi shprehet se Rexhep Çeliku kishte pasion e talent, por edhe punonte fort për të ecur në të njëjtin hap me të tjerët, edhe pse më pas “fluturoi” duke marrë edhe epitetin e merituar.

Sokol Marsi: Bashkëkohësit e tij që kanë jetuar skenën me Rexhep Çelikun, sigurisht që tregojnë shumë  episode, por thoshin që Rexhep Çeliku ishte nga ata njerëzit që futej në sallë i pari, që në fillimet e veta, dilte i fundit dhe rikthehej prapë pasdrekave, pasditeve e deriaantën vonëpër të rikuperuar të gjitha ato që Panajot Kanaçi i jepte për arsye se Rexhep  Çeliku nuk vinte nga një shkollë baleti, nuk kishte një formim profesional si dikush tjetër dhe i duhej të bënte dyfishin e punës, por pasioni dhe sigurisht talenti, kanë qenë dy shtyllat kryesore që këtë njeri e kanë mbështetur dhe arriti të bëhej një figurë kaq e rëndësishme dhe një personalitet i valles, një simbolikë e valles dhe ai realisht e meriton atë epitetin që i kanë vendosur, “Kërcimtari fluturues” sepse Rexhep Çeliku dukej sikur fluturonte, ishte një shqiponjë në fluturim, jo sikur thjesht kërcente në një valle, por fluturonte është e vërtetë dhe po ta shikosh në të gjitha imazhet./tvklan.al