Pas më shumë se një viti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit vihet dhe një herë në skenë kryevepra e Verdit “Aida”. Të ftuara në studion e “Rudina” në Tv Klan ishin dy protagonistet kryesore të veprës. Eva Golemi dhe Ivana Hoxha ndajnë me publikun emocionet e interpretimit të këtyre dy personazheve.

Teksa flet për rolin e saj si Aida, Eva Golemi ndahet në një detaj shumë të veçantë. Edhe pse në skenë personazhet e tyre janë rivale me njëra-tjetrën, Eva zbulon se ajo dhe Ivana kanë më shumë se 3 vjet që interpretojnë së bashku. Si dy mike shumë të mira në jetë, ato tregojnë se përshtatja e vokaleve të tyre është ajo që i ka mbajtur të bashkuara në skenë për kaq shumë kohë.

Rudina Magjistari: Çfarë është për ty Aida?

Eva Golemi: Në fakt unë Aidën kisha shumë dëshira që ta luaja dhe shyqyr që u vu një vit e gjysmë përpara sepse dëshira ime për të luajtur Aidën ishte shumë e madhe. Në fakt është një rol shumë impenjativ, një rol që kërkon një gamë të gjerë vokalesh si nga notat poshtë e deri tek akutet sipër. Si Aida dhe Ameresi janë dy role kyçe. Janë dy rivale në opera. Për mua është shumë kënaqësi që rivihet përsëri në skenë Aida dhe mendoj se do të dalë jashtëzakonisht bukur. Nesër është premiera dhe mezi po presim në fakt që ta luajmë. Madje i thashë Ivanës që ne të dyja jemi bërë vërtet si çift dyshe, sepse u bënë 3 vjet që nuk ndahemi bashkë.

Rudina Magjistari: Në role, në shfaqje sepse jeni gjithmonë të dyja.

Eva Golemi: Po, sepse është një gjë që na përshtaten vokalet jashtëzakonisht shumë me Ivanën dhe jemi shoqe në jetë e rivale në skenë./tvklan.al