Të rinjtë dyshohen se u qëlluan me armë nga Danjel Pepaj
“Pas 5 ditësh kërkime intesive janë gjetur trupat e pajetë të Klement Pepajt dhe Vilson Çutaj. Trupat e pajetë të dy të rinjve janë gjetur në zonën e Vrithit, ku po bëheshin edhe kërkimet”, raporton gazetarja e Tv Klan, Emi Kalaja.
Ky është momenti kur ambulanca mori trupat e pajetë të Klement Pepajt dhe Vilson Çutaj nga fshati Vrith i Malësisë së Madhe për t’i dërguar ata në morg.
Të dy të rinjtë kishin shenja plumbash në trup, që konfirmon se janë vrarë me armë zjarri dhe personi i dyshuar është Danjel Pepaj, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë.
Ka qenë pikërisht babai i Danjel Pepajt, Rrok Pepaj, ai që ka dërguar policinë pranë parcelave me kanabis, ku u gjetën pa jetë të 2 djemtë.
Vendi ku ishin vrarë Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, u zbulua nga një telefonatë që Danjel Pepaj ka bërë me të vëllain që ndodhet në Itali.
Banorët e zonës kanë treguar ne polici se ai i kishte thënë të vëllait se i kishte ekzekutuar të dy të rinjtë.
“Njërin e qëllova në ballë. Ndërsa tjetrin nuk e di nëse lash të vrarë”, mësohet t’i ketë thënë ai, teksa i vëllai i tronditur është përgjigjur se tani nuk i mbetej tjetër vetëm të vriste veten.
Vrasja e dyfishtë erdhi pas Vilson Çutaj e Klement Pepaj dhunuan Danjel Pepajn më 3 Tetor, pasi e akuzuan se ai u kishte grabitur 50 kg kanabis.
Disa orë më vonë, Danjel Pepaj i thirri dy shokët në mal për t’u dhënë lëndën narkotike, por aty i qëlloi me automatik. Fillimisht në kokë Klement Pepajn e më pas në bark e shpatull Vilson Cutajn.
Mënjeherë pas aktit ekstrem, Daniel Pepaj i ka vënë zjarrin parcelës me kanabis dhe është larguar që aty. Policia e Shkodrës e ka shpallur atë në kërkim, i cili mendohet se është larguar drejt Malit të Zi.
Pas gjetjes së trupave të pajetë, Policia e Shkodrës shoqëroi në komisariat Rrok Pepajn, i ndaluar në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes. Ndërkohë që të dy familjet janë ngujuar nga frika e gjakmarrjes.
Tv Klan