Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.
I welcome the decision of the 🇽🇰 Government to open the Merdare border crossing for goods coming from 🇷🇸.
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) October 7, 2024
This marks an important step towards unblocking CEFTA. We will support 🇽🇰 to ensure its security needs are met and monitor the processes at the border crossing.
🇩🇪🤝🏽🇽🇰
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më herët gjatë ditës së hënë se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë, është hequr në pikëkalimin në Merdare.
Megjithatë, ai ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.
Ai ka thënë se deri në sigurim të skanerëve, në Merdare do të kryhen kontrolle të rrepta.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.
Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.
CEFTA synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve. Pjesë e saj janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavia, që prej vitit 2006.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, sepse, sipas saj, ndalesa ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të hënën se pret që autoritetet e Kosovës të “bëjnë më të mirën” për të parandaluar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve serbe, pavarësisht heqjes së ndalesës për produktet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Kryeministri i këtij vendi, Millosh Vuçeviç ka thënë se mirëpret secilin vendim, që, sipas tij, përmirëson jetësen e serbëve në Kosovë.
Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.
Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.
Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.
Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht./REL