“Nëse refuzojnë, diskutojmë me opozitën parlamentare në Kuvend”
Pas propozimit të Partisë Socialiste për listat e hapura, ishte përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari që dërgoi në Këshillin Politik idetë e saj se si duhet të jenë listat në zgjedhjet e 25 Prillit. Hajdari ka propozuar që listat të vendosen sipas rendit alfabetik ndërsa një ditë më parë i kërkoi palëve të tjera që të zhvillojnë një takim në Këshillin Politik që të bien dakord.
Këtë të hënë, Gjiknuri i ka kthyer përgjigje Hajdarit përmes një letre. Ai ka deklaruar se është i gatshëm që të diskutojë për propozimet e PS-së. Në gjykimin e socialistëve, propozimet e tyre garantojnë hapjen 100% të listave ashtu sikurse sigurojnë të drejtën e çdo qytetari për të vlerësuar nominalisht me votë preferenciale secilin kandidat e më tej duke rirenditur listën përpara ndarjes përfundimtare të mandateve.
Gjiknuri falenderon Hajdarin për propozimet e saj, ndërsa i kërkon kohë që takimi i ardhshëm të zhvillohet pasi opozita jashtëparlamentare të sjellë propozimet e saj.
“Duke qenë se Këshilli Politik u krijua si strukturë ekstra-parlamentare, me synim primar përfshirjen e kontributit të opozitës jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore, do kërkoja mirëkuptimin tuaj për ti dhënë kohën e nevojshme edhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare që të paraqesin dhe ata propozimet e tyre konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor. Duke patur kontributin konkret me drafte nga të gjitha palët në Këshill, mund të kryejmë më pas procesin e negocimit në këtë strukturë ekstra-parlamentare, për një produkt me konsensus sa më të gjerë të mundshëm”, shkruan Gjiknuri.
Nëse opozita jashtë Kuvendit refuzon të japë kontributin e saj, Gjiknuri thotë se është e drejtë e opozitarëve brenda Kuvendit që amendamentet e tyre të bëhen pjesë e diskutimit që do të zhvillohet në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore.
“Duke ju ftuar të depozitoni një kopjo të propozimeve tuaja zyrtarisht edhe pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, mbetemi në pritje që opozita jashtëparlamentare të depozitojë në Këshillin Politik ose në Kuvendin e Shqipërisë propozimet konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të 30 Korrikut”, shkruan Gjiknuri./tvklan.al