Stomatologu Redjan Rraja rrezikon që të mbyllet përjetë në qeli. Gjykata e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin e ndodhur më 1 Nëntor të 2019. Ndërsa me 35 vite burg, dënohet bashkëpunëtori i Rrajës, Arjol Halilaj.
Gjykata ka bindjen se Redjan Rraja ka qenë personi që qëlloi me breshëri ndaj makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoj. Në këtë atentat humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku si dhe u plagos miku i ish-prokurorit, Aleksandër Laho, i njohur me pseudonimin “Rrumi i SHijakut”
SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit. Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithahstu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Prova të tjera kundër Redjan Rrajës janë pamjet filmike kur ai largohet nga Ishmi në drejtim të makinës që drejtohej nga Ariol Halilaj. Sipas prokurorisë, pas zbërthimit të celularit të tij është konstatuar se ai ka bërë 880 hapa deri sa ka arritur tek vendi ku i mori Halilaj. Po ashtu në celularin e tij janë gjetur edhe termat si “bidon”, “benzin”, “autostradë”, “benz”, “Arjani”, “Rrumi”, “vrasje”, “burg”.
Rraja ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në qytetin e Durrësit dhe ka qëndruar në zonën e “Vollgës” pasi është marrë me dokumentet e makinës.
300 mijë Euro do të paguheshin në laboratorin e Policisë Shkencore për të shkatërruar ADN-në e Redjan Rrajës. SPAK, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare para gjykatës, e bëri të ditur këtë fakt. Organi i akuzës pretendon se kjo gjë do të bëhej për t’i lehtësuar atij pozitën në gjykatë. Sipas prokurorëve, kjo bisedë është zbardhur nga komunikimet që ka pasur grupi kriminal në aplikacionin SKY.
Arjol Halilaj akuzohet si bashkëpunëtor. Sipas kamerave të sigurisë, ai ka marrë makinën e tij nga një biznes në Durrës në orën 15:15 dhe ka përshkuar të njëjtin itinerar që ka ndjekur makina e autorëve dhe ka shkuar në afërsi të Ishmit për të marrë Rrajën dhe dejtuesin e makinës.
Klan News