Gjana: Nuk kam shkelur asnjë ligj, do përballem me drejtësinë si qytetar i lirë

Ka mbërritur në ambientet e SPAK mëngjesin e sotëm ish-zv.kryetari i bashkisë Kukës Granit Gjana.

Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, është lënë në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për Granit Gjanën. Mësohet se ky i fundit është shprehur para trupës gjykuese se ka dhënë dorëheqjen për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë.

Do vazhdoj të ndjek të gjitha procedurat ligjore, nuk kam shkelur asnjë ligj kur kam qenë nënkryetar bashkie”, ka thënë ai.


Pezullimi i tij nga detyra si Prefekt i Kukësit u njoftua ditën e Mërkurë, pasi ai akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”. Ishte vetë Gjana që dha dorëheqjen nga posti pranë ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të bashkisë, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj. Halilaj u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici./tvklan.al