Te Skënderbeu duan fitoren në sfidën e fundit të vitit 2024 kundër Elbasanit në shtëpi. Për trajnerin e bardhekuqve, Ernest Gjoka ka ardhur momenti që ekipi të bëjë kthesën në takimin e javës së 19.

Ai vlerëson verdheblutë, por ka besim te skuadra e tij, e cila në këtë sezon ka marrë vetëm 3 fitore në 18 takime të luajtura. Për më tepër që kundër do të kenë një ekip, i cili në stol ka teknikun Ivan Gvozdenoviç, që deri pak javë më parë ishte në stolin e korçarëve.

“Është momenti që gjërat të kthehen. Në këtë fushë nuk ka asgjë të ;ehtë. Futbolli është i paparashikueshëm. Na duhet besimi që dimë të bëjmë gjëra të mira, sepse skuadra e tregoi këtë. Kundërshtar kemi trajnerin që ka qenë në këtë skuadër dhe i njeh mirë futbollistët tanë, por futbolli është një lojë që nëse do të kalosh me sukses, mund t’ia dalësh edhe pse trajneri kundërshtar, ka qenë ish-trajner i Skënderbeut”, u shpreh Gjoka.

Bardhekuqtë nuk fitojnë prej 9 takimesh radhazi në kampionat. Ndërsa sfida e fundit me verdheblutë e luajtur më 26 tetor, përfundoi në barazim 1-1.

Korçarët janë të fundit në renditje në kuotën e 15 pikëve, ndërsa vijnë pas barazimit me Bylisin, 1 pozicion më sipër në renditje.

Edhe Elbasani barazoi në takimin e fundit me Partizanin dhe ka 22 pikë në vend të pestë.

Klan News