Me një vendim 6 me 3, anëtarët e Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një imunitet të pjesshëm ish-presidentit Donald Trump.
Duke iu referuar rastit të Donald Trump, i akuzuar për sulmet e 6 janarit si përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor, Gjykata thekson se presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet zyrtare. Ndërsa theksohet se nuk e gëzojnë atë për veprimet jo zyrtare.
Ky vendim është kritikuar nga Presidenti Joe Biden, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm në dëm të popullit amerikan.
Biden tha se vendimi nënkupton se ka pak të ngjarë që zoti Trump të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
“Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë. Askush nuk është mbi ligjin, as Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, kjo ka ndryshuar rrënjësisht. Unë do të respektoj kufijtë e pushtetit presidencial, por çdo president, përfshirë Donald Trumpin, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin”.
Presidenti Biden po kandidon për një mandat tjetër përballë kundërshtarit Donald Trump dhe ka qenë kritik ndaj veprimeve të rivalit të tij në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e zotit Trump.
Senatorët dhe demokratët në dhomën e përfaqësuesve e cilësuan vendimin e Gjykatës së Lartë “një vendim qartazi politik”, që synon ta mbrojë ish-Presidentin Trump me “një mbrojtje ligjore që nuk e gëzon asnjë qytetar tjetër”.
Klan News