Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese duket se është një nga shqetësimet e Presidentit të Republikës në lidhje me finalizimin e marrëveshjes së re për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Pas takimit të pasdites së të mërkurës me Kryeministrin Rama, ku pranon se është folur për fazën ku ndodhen negociatat me palën greke, kreu i shtetit nënvizon rëndësinë që ka plotësimi i vendeve vakante që janë krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga procesi i vettingut. Por po ashtu, ai flet dhe për nevojën që Ministria e Jashtme, institucioni i ngarkuar nga ligji t’i japë kreut të shtetit informacione serioze mbi ecurinë e këtij procesi.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të përgjegjshme për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit dhe të gjithë debateve lidhur me kushtetueshmërinë e ligjeve apo të akteve të ndryshme të të gjitha vendimeve të institucionit të Presidentit do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me përgjegjësitë që i takojnë këtij institucioni, ashtu sikurse besoj se edhe gjithë institucionet e tjera kanë përgjegjësitë e tyre të cilat do t’i ushtrojnë në kohën e duhur.

Institucioni i Presidentit pret informacione edhe më të plota sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështje. Kryeministri Rama nuk ka ardhur për të informuar mua për ecurinë e negociatave, sepse ai nuk është përgjegjësi drejtpërdrejt apo negociatori drejtpërdrejt në këto çështje. Ne thjesht kemi bërë një vlerësim situatës”.

Gjykata Kushtetuese kishte rolin kyç në vitin 2009 për rrëzimin e marrëveshjes së detit, që u nënshkrua nga qeveria Berisha dhe qeveria greke e Karamanlis. Mosfunksionimi i kësaj gjykate për shkak të vettingut dhe mosngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të mundësonte që marrëveshja e re detare mes dy shteteve, të niste të vepronte pavarësisht kundërshtive që mund të ketë opozita apo grupe të caktuara interesi.

Kjo pasi në kushtet që Gjykata ka humbur çdo funksion të saj nuk mund të marrë në shqyrtim kushtetueshmërinë e dokumentit që pritet të firmoset mes Kryeministrave Rama e Tsipras brenda Korrikut. /

tvklan.al