“Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm, për të gjitha këto akuza”.
Kështu u shpreh ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para trupit gjykues në Hagë, aty ku zhvillohet seanca e dytë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot jemi duke nisur një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gur themeli i të gjitha demokracive dhe themeli i paqes. Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment për të thënë që ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm, për të gjitha këto akuza”, u shpreh Thaçi.
Megjithatë, Thaçi tha se është gati të përballet me këtë sfidë të re, siç e quajti ai.
“Po unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re, të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në Mars të vitit 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për liri në Kosovë. Kushdo që do të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur t’u hiqej liria”, theksoi ai.
Ish-Presidenti Thaçi u shpreh se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe vullnetarë që mbrojtën shtëpitë dhe familjet e tyre. Kundërshtarët e saj, sipas Thaçit, kanë qenë ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të provuar më parë edhe në fushatat e vrasjeve në Bosnje Hercegovinë.
“UÇK përbëhej nga njerëz te thjeshtë, vullnetarë që përpiqen të mbronin shtëpitë familjet dhe vendbanimet e tyre. Ata luftuan dhe shumë vdiqën trima hero. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën të dashurit e tyre në qindra masakra të kryera nga forcat serbe. Kundërshtarët tanë ishin ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të kalitur në fushatat e tyre të vrasjeve në Bosnje”, tha ish-Presidenti.
Ish-Presidenti theksoi se pa rezistencën popullore, Kosova sot nuk do të ekzistonte.
“Të nderuar të pranishëm, trup gjykues, si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Dhe pa atë rezistencë gjithëpopullore, sot Kosova nuk do të ekzistonte fare. Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ata ishin të përcaktuar dhe kishin vullnetin për paqe, lufta iu imponua. Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës për të mbrojtur familjet e tyre, fëmijët e tyre, vendin e tyre. Pra ne, Kosova ishim në anën e drejtë të historisë“, u shpreh Thaçi nga Haga.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe 3 bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë speciale të prezantuara një ditë më parë. Avokati mbrojtës Gregory Kehoe ka thënë se Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Sipas tij ai kishte përkrahjen e SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk kishte motiv të merrte pjesë në krime, sepse ndryshe do të humbte atë përkrahje. Sipas tij, Thaçi nuk e ka mohuar asnjëherë se ka pasur krime të luftës, por këto sipas tij nuk janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës./tvklan.al