Prej katër ditësh një fëmijë 3 vjeç është marë nga gjyshërit duke mos ia kthyer të ëmës. Rexhep Gjuni, 58 vjeç, është ndaluar nga policia e Durrësit pasi nuk tregon ku ndodhet i mituri, i ati i të cilit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.

Nga policia thuhet se prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e 3-vjeçarit, për të cilin ende nuk kanë asnjë informacion. Mësohet se gjyshërit kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur për disa orë, por këtë radhë ata nuk e kanë kthyer.

E ëma ka tentuar disa herë të flasë me vjehrrin në telefon, por pa mundur të kontaktojë. Në këto kushte gruaja ka kërkuar ndihmën e policisë.

Ile Gjuni, nëna e 3 vjeçarit: Pastaj kur shkon ora 3, i marr në telefon u them ku jeni. Pse s’keni ardh? Më thanë “s’ta sjellim më”.

Policia ka arritur të gjejë gjyshin Rexhepin, por jo fëmijën dhe gjyshen. Fillimisht ai ka deklaruar para policisë se djali ndodhet në Kukës, tek disa të afërm, por policia nuk e ka gjetur as në këtë qytet.

Pas kësaj dëshmie Rexhepi ka refuzuar të bashkëpunojë me policinë ndërsa fati i fëmijës ende nuk dihet.

Klan News