Në Greqi u regjistruan 50% më shumë raste zjarresh gjatë kësaj vere, krahasuar me vitin e kaluar që renditet ndër më të vështirët në historinë e vendit.
Autoritetet greke thanë se që nga 1 Maji e deri më tani, ekipet zjarrfikëse kanë menaxhuar rreth 4 mijë zjarre në gjithë vendin.
Rasti më i vështirë ishte ai i 11 Gushtit pranë qytetit historik të Maratonës, 40 kilometra në verilindje të Athinës.
I ushqyer nga erëra të fuqishme, zjarri shkrumboi 10 mijë hektarë pyje, shkurrë e banesa, duke I marrë jetën një gruaje e duke detyruar mijëra njerëz të braktisin shtëpitë.
Qeveria e Kyriakos Mitsotakis-it është vënë shpesh në qendër të kritikave, por kryeministri tha se në shumicën e rasteve, zjarrfikësit u mobilizuan në një kohë rekord, brenda 2 minutash, ndërsa avionët u ngritën brenda 5 minutave nga marrja e sinjalizimit.
Greqia dhe Athina në veçanti karakterizohet nga një verë e nxehtë, që po theksohet me pasojat e ngrohjes globale që e kanë bërë ajrin më të thatë dhe temperaturat më të larta, dy faktorët kryesorë që ndikojnë edhe në shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë të flakëve.
Tv Klan