Santorini nuk është duke gjetur qetësi. Autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e emergjencës mbi ishull pas disa ditësh tërmete të njëpasnjëshme.
Vendimi më i fundit erdhi pas lëkundjeve të tokës që u shënuan të mërkurën, të cilat kishin një magnitudë 5.2. Epiqendra e këtij tërmeti ishte mes ishujve të Santorinit dhe Amorgosit, duke e bërë më të fortin e ditëve të fundit.
Vendimi do të jetë në fuqi deri më 3 Mars, për të adresuar nevojat urgjente dhe menaxhuar pasojat, thanë zyrtarët grekë. Prej kur nisën tërmetet, nga ishulli janë larguar mbi 11 mijë persona, pjesa kryesore e tyre me traget.
Deri më tani nuk raportohet për dëmtime të mëdha, por autoritetet janë duke marrë masa paraprake në rast se ndodh ndonjë tërmet i fuqishëm.
Të premten pritet që në Santorini të shkojë edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis për të parë situatën.
Drejtori i Institutit Gjeodinamik, Vasilis Karastathis, tha për televizionin grek ERT se aktiviteti sizmik vijon me të njëjtin ritëm, intensiv.
“Kemi në numër shumë të madh të tërmeteve me magnitudën mbi 4”, tha ai.
Kujtojmë se Santorini mikpret miliona turistë çdo vit, mirëpo aktualisht ndodhet në nivelin më të ulët të sezonit. Pra kjo do të thotë se shumica e të evakuuarve janë ose banorët vendas, ose punonjës të ndryshëm.
Në Santorini kanë shkuar zjarrfikës dhe personel mjekësor nga Naksosi. Kjo si pjesë e masave të autoriteteve. Sipas planit të Ministrisë së Shëndetësisë së Greqisë në rast të nevojës së një emergjence, gjëja e parë që do të ndodhë është se doktorët dhe infermierët nga ishujt e tjerë do të shkojnë në Santorini për të përballuar situatën.
Për të përballuar çdo rast është ngritur edhe një stacioni telekomunikacioni rezervë.
Kujtojmë se Santorini ndodhet në atë që njihet si Harku Vullkanik Helen, një zinxhir ishujsh që janë krijuar nga vullkanet. Por hera e fundit që është regjistruar një shpërthim i madh vullkanik ka qenë në vitet 1950.
Autoritetet greke janë të bindura se dridhjet e fundit të tokës lidhen me lëvizjet e pllakave tektonike e jo si rezultat i aktivitetit vullkanik.
Siç e dimë, shkencëtarët nuk mund të parashikojnë kohën ekzakte, madhësinë apo epiqendrën e tërmeteve. Por ka disa zona në botë ku ka më shumë mundësi që ato të ndodhin e kësisoj ndihmojnë qeverinë që të përgatitet./tvklan.al