Trajneri i Kombëtares së Femrave e bën të qartë se nuk ka rival të lehtë në kualifikuese
Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur përgatitjet për edicionin e ri kualifikues të Kampionatit Europian “Zvicër 2025”. Grumbullimi filloi të dielën, ndërsa vajzat kuqezi janë stërvitur në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Armir Grima.
Tekniku i “kuqezezave” tha se gjendja e ekipit është e mirë dhe nuk ka dëmtime. Objektivi i Shqipërisë është vendi i parë në grupin C5, për t’u rikthyer sërish në Ligën B dhe për të luajtur shanset në fazën play-off.
“Sot është dita e dytë e grumbullimit dhe besoj që jemi mirë. Nuk ka dëmtime, grupi është i plotë. Objektivi është që të dalim të parët në grup, normalisht duke fituar ndeshjet që kemi. Ekipe të dobëta nuk ka, pasi në futbollin e vajzave po investojnë pothuajse të gjitha shtetet. Edhe Luksemburgu nuk është ekip aq i lehtë sa mund të duket në letër. Megjithatë ne jemi “të dënuar” për t’i fituar të dyja ndeshjet, që të shkojmë sërish në Ligën B.”
Shqipëria e vajzave do të luajë ndeshjen e parë në kualifikueset e europianit “Zvicër 2025” kundër Luksemburgut më 5 prill, në stadiumin “Émile Meiriç”. 4 ditë më pas, ‘kuqezezat’ do të presin në “Air Albania” Estoninë. Dyert e stadiumit do të jenë të hapura për të gjithë tifozët shqiptarë, në mbështetje të kombëtares së vajzave.
Klan News