Vende të ndryshme të botës kanë rregulla të ndryshme. Për vizitorët, ato sigurisht janë të panjohura. I tillë është edhe rasti i grupit të xhirimit të emisionit Check In, që thjeshtë filimi i rrugës përbri rezidencës mbretërore në Abu Dhabi, bëri që të shoqëroheshin në polici.
Ekipi i xhirimit po kalonte pranë rezidencave të sheikut Khalifa bin Zayed Al Nahyan, i cili sipas Forbes është në vendin e 34-të në renditjen e burrave më të fuqishëm në botë. 69-vjeçari jo vetëm që kontrollon rezervat e naftës, por është gjithashtu kryetar i Autoritetit të Investimeve të Abu Dhabi, i cili menaxhon 875 miliardë dollarë pasuri, shuma më e madhe e menaxhuar nga kryetari i shtetit të një kombi në botë. Ai gjithashtu zotëron kompaninë ajrore Etihad, e cila u shpall linja ajrore më e mirë në botë në vitin 2016.
Lagja që përmban rezidencat e Sheikut dhe të afërmve të tij nuk kishin mbarim. Ndërtesat janë të rrethuara me mure të larta të gjitha njësoj, ku është e pamundur të ndalesh, e për më tepër të filmosh.
“Ndërsa kalonim përgjatë kësaj rruge na ndodhi një incident, pasi një makinë e familjes mbretërore na kishte parë ndërsa xhironim rrugën përbri rezidencës mbretërore dhe dërguan lajm nëpërmjet shoferit tonë, që të paraqiteshim në polici për të verifikuar çfarë kishim xhiruar. Pas 4 orë qëndrim brenda rajonit të policisë dhe pas verifikimit të materialeve të xhiruara na lanë të lirë, duke na kërkuar ndjesë për ndalesën. Aty kuptuam që masat e sigurisë në Abu Dhabi janë shume të larta, jo më kot është konsideruar një nga vendet më të sigurta në botë për të jetuar”, shpjegoi ekspertja e turizmit Albana Nanaj.
Kjo e fundit dhe moderatorja Orinda Huta xhiruan edhe një video të shkurtër brenda ambienteve të rajonit policor.
Por përveç këtij incidenti, Check In përcolli këtë puntatë për publikun bukuri dhe kuriozitete nga Abu Dhabi, një qytet plot sharm dhe kulturë që strehon shpirtin më tradicional të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Forca e tij është e diktuar nga takimi unik midis traditës arabe, ndërtesave moderne, një profili kulturor gjithnjë në rritje dhe një ofertë turistike të përshtatshme për çdo lloj udhëtari. Një qytet për t’u pasur zili dhe nga qytetet më fisnike perëndimore!
Abu Dhabi është më i pasuri nga shtatë emiratet që përbëjnë federatën, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe emirati më i madh për nga sipërfaqja dhe i dyti për nga popullsia pas Dubait. Ka më shumë se 200 ishuj që lagen nga ujërat e kristaltë të Gjirit Persik, shumica e të cilave janë private.
Abu Dhabi, i cili në arabisht do të thotë “babai i gazelës”, u themelua kur një gazelë çoi një fis të etur për ujë në një burim uji të freskët, në një ishull ku nuk kishte më shumë se disa kasolle palme, disa ndërtime me koral dhe kështjella e sundimtarit. Ky vendbanim i thjeshtë ishullor u shndërrua në këtë qytet që ne gjejmë sot, modern, kozmopolit dhe me një horizont marramendës./tvklan.al