Komunikimet në SKY ECC te anëtarëve të grupit kriminal të trafikut të kokainës që u godit të martën në një operacion të përbashkët, Shqipëri-Itali-Spanjë, ishin provat që bindën gjykatën e Breshias për të lëshuar 12 urdhër arreste.
Sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, rezulton se anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të enkriptuar për të trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të BE-së, veçanërisht në Itali.
Në këtë platformë nga hetimet rezultoi se 7 të arrestuarit në Itali dhe 5 të ndaluarit në Shqipëri kanë komunikuar duke u koordinuar për transportin e ngarkesave të kokainës. Aty skuadra hetimore italiane zbuloi, itinerarin dhe mënyrën sesi ata dërgonin kilogramët e drogës, duke përdorur mjete të modifikuara.
Nga komunikimet u zbuluan edhe takimet që drejtuesit e grupit kriminal, kanë kryer në Ekuador, Kolumbi dhe Dubai. Trafikantët shqiptarë sipas Policisë italiane kanë udhëtuar sistematikisht në këto shtete për të bërë marrëveshje me furnitorët.
Policia italiane ka zbuluar dhe organizimin e grupit kriminal ku thekson se në krye janë dy vëllezër shqiptar, të cilët kishin caktuar njerëz të besuar me banim në provincën e Breshia dhe në krahina të tjera të Italisë Veriore, të cilët merreshin me importin dhe shitjen e kokainës.
Ata kishin për detyrë të gjenin persona të tjerë për të bërë shpërndarjen e dozave të kokainës në lokalet e natës, në afërsi të liqenit të Garda, mes Breshias dhe Veronës.
Të martën policia shqiptare arrestoi 5 persona, ndërsa në Itali u ndaluan 7 të tjerë. 5 të ndaluarit në vendin tonë pritet të ekstradohen drejt Italisë ku do të përballen me akuzat në gjykatën e Breshias.
Klan News