Të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacioni Sky ECC. Ky ka qenë propozimi i opozitës në mbledhjen e Këshilllit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardh tha se kjo nismë do të tregonte transparencë dhe ndershëmri të ligjëvënësve.
“Kemi propozuar që në kuadër të ruajtjes së etikës së deputetit, çdo deputet të ketë detyrimin për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit mbi përdorimin e aplikacioneve Sky Ecc dhe Encro Chat”, tha Gazment Bardhi.
Por socialistët theksuan se propozimi për Sky ECC, i cili është përdorur nga individë të lidhur me botën e krimin, nuk mund të vendoset në Këshilll, pasi së pari duhet të ngrihet një grup pune për këtë çështje.
“Nga pikëpamja, edhe procedurale, ne do të duhet që këtë ta shqyrtojmë edhe në një grup pune sepse janë disa elementë që duhen parë”, tha Bledi Çuçi.
Këto qëndrime të ndryshme, sollën dhe debate mes deputetëve demokratë dhe socialistë. Përveç debateve nuk munguan as batuatat.
“Po s’ke pse përdor qëllime të sinqerta, të flasësh me gruan puçi puçi me Sky dhe Encro Chat se nuk bëhet kjo puçi puçi me gruan në Sky dhe Encro Chat”, tha Saimir Korreshi.
Pasi nuk arritën të të gjenin gjuhën e përbashkët në parim, propozimi i opozitës u rrëzua.
“Propozimi siç erdhi në atë formë nuk kaloi sot në mbledhje dhe do iu nxisja shumë që të ngremë një grup pune të përbashkët për të riparë rregulloren në tërësi”, tha Elisa Spiropali.
Edhe pse kishin mendime të ndryshme për Sky ECC, PS dhe PD u dakordësuan që të çojnë për votim në seancë plenare dy raporte të tyre për çështjen e mandatit të deputetit të PS, Vullnet Sina.
“Kërkoj zonja kryetare që kjo çështje të votohet në seancën e ditës së hënë, edhe pse është seancë inagurimi”, tha Bardhi.
“Shumica në këtë këshill rekomandon që ti kalojë seancë plenare për votim prek vendimin për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë e mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, tha Klotilda Bushka.
Demokratët akuzojnë deputetin socialist Vullnet Sina se në kundërshtim me ligjin ka përfituar 37 milionë Lekë nëpërmjet kompanive të tij nga fondet publike duke qenë deputet, dhe për këtë arsye dihet të lërë mandatin e deputetit.
Akuzat e opozitës janë mohuar nga deputeti i PS në mbledhjet mbajtura më herët. Nëse raportet votohen në Kuvend, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për fatin e mandatit të deputetit Sina.
Klan News