Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani në një bashkëbisedim me gazetarët, theksoi se në lidhje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, çështja është në fazën e hetimit paraprak, ndërsa foli edhe për kontrollet.

“Çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të bëj publike më shumë informacione. Ju keni raportuar për kontrolle, por ata janë mjet për kërkimin e provës”, tha Altin Dumani.

Përsa i përket përgjimeve të Sky Ecc, ai theksoi se Prokuroria e Posaçme nuk ka databazën e kësaj platforme. Dumani foli edhe për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

“Nuk është e vërtetë që nuk ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Në përpiqemi qe të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në Sky Ecc, por ti lidhim ato edhe me prova të tjera”, tha Dumani.

Kreu i SPAK shpjegoi edhe njëherë para gazetarëve se pas kryerjes së hetimeve, prokurori vendosi pezullimin e çështjes pas informacioneve të Gazment Bardhit se Olsi Rama është i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Dumani theksoi se nuk u identifikuan persona të përfshirë në lidhje me informacionet e depozituara.

Përsa i përket krimeve zgjedhore, drejtuesi i Prokurorisë u tha gazetarëve se është gati strategjia e hetimit.

“Strategjia thuajse ka përfunduar, pritet miratimi. Është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër, por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin”, tha Altin Dumani.

Dumani theksoi se ka institucione që lënë për të dëshiruar përsa i përket kallëzimeve.

Klan News