Forcat ushtarake arrestojnë kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë
Në Sudan disa anëtarë të qeverisë kalimtare dhe udhëheqës të tjerë civilë janë arrestuar. Në mesin e zyrtarëve që janë vënë në arrest shtëpiak është edhe kryeministri Abdallah Hamdok.
“Ata janë çuar në një vend të paidentifikuar“, tha në një komunikatë Ministria e Informacionit. Kjo e fundit deklaroi se kryeministri është nën presion për të mbështetur një grusht shteti, por po refuzonte ta bënte këtë dhe iu kërkoi njerëzve të vazhdonin me protesta paqësore për të “mbrojtur revolucionin”.
Ushtria dhe njësitë paraushtarake janë vendosur në të gjithë qytetin, duke kufizuar lëvizjen e civilëve. Aeroporti i Kartumit është i mbyllur dhe fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar. Dëshmitarët kanë thënë se në kryeqytetin Kartum është ndërprerë internet, ndërsa në rrjetet sociale janë shfaqur imazhe që tregojnë turma të zemëruara duke djegur goma në rrugë.
Grupi kryesor pro-demokratik i Sudanit u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të rezistojnë çdo grusht shteti ushtarak. Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të alarmuara” me raportet nga Sudani tha i dërguari i posaçëm, Jeffrey Feltman. Kombet e Bashkuara e quajtën të papranueshme ndalimin e udhëheqësve civilë nga forcat sudaneze të sigurisë. Liga Arabe shprehu “shqetësim” për zhvillimet në Sudan.
Gjermania dënoi përpjekjet për grusht-shtet dhe bëri thirrje për “përfundim të menjëhershëm” të veprimeve. Udhëheqësit ushtarakë dhe civilë kanë qenë në mosmarrëveshje që kur liderit Omar al-Bashir u rrëzua nga pushteti dy vjet më parë dhe u krijua qeveria kalimtare.
Klan News