Specialistët: E kemi shpëtuar nga dëmtimi i mundshëm
I vendosur në atriumin pas Muzeut Historik Kombëtar, guri i gjetur në Fan të Mirditës dhe që hipotezat e para janë se këto shenja i përkasin prehistorisë, fillimisht do t’i nënshtrohet pastrimit.
Në nisje të javës, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës do të identifikojnë patologjitë që mbart guri dhe më pas do të përcaktojnë materialet për të ndërhyrë.
Ky proces do të marrë kohë, përpara se ai të zhvendoset në brendësi të Muzeut Historik Kombëtar, në një mjedis më mbrojtës nga vendi i origjinës.
Specialistët janë të bindur se zhvendosja e tij në Tiranë është në të mirë të kësaj vlere arkeologjike pasi guri dhe të dhënat që ai mbart rrezikonin dëmtimin.
Shembuj të tillë nuk i mungojnë Shqipërisë, mjafton të shohësh se çfarë është bërë me shpellën e shkruar të Lepenicës.
Vlerën përfundimtare historike dhe arkeologjike do ta përcaktojë një ekip me gjeologë, restauratorë dhe arkeologë. Paraprakisht mund të themi:
“Sigurinë më të madhe na e jep kjo figura njerëzore që është figurë e një mashkulli, e cila gjen analogji shumë të sigurta me rastin e Lepenicës“, thotë arkeologu Rudenc Ruka.
A kemi në Shqipëri studiues të mirëfilltë të këtyre shenjave?
“Puna më themelore është kryer nga Profesor Myzafer Korkuti. Nuk është se ka pasur specialistë që janë marrë vetëm me këtë lloj fushe të studimit në arkeologji”.
A do të përbëjë pengesë?
“Nuk besoj sepse është rasti duke ngritur një grup kompleks”.
Në përgjigje të disa prej banorëve që donin që guri të qëndronte në habitatin e tij, specialistët janë angazhuar që të realizojnë një kopje për ta vendosur në fshatin ku u zbulua, në Xhuxhë të Fanit.
Tv Klan