“Bllokimi i kamionëve me ndihma, fyerje morale”

I shqetësuar për situatën në Gaza, kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se, bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës ku njerëzit janë duke u përballur me uri, përbën fyerje morale.

“Prej kësaj pike kufitare ne e shohim situatën zemërthyese. Një rend i gjatë me kamionë të bllokuar në njërën anë të kufirit, një rend i gjatë i njerëzve të uritur në anën tjetër. Kjo është më shumë sesa tragjike, është fyerje morale”, tha Guterres.

Gjatë një vizite në pikëkalimin në Rafah, shefi i OKB-së bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza, teksa kërkoi nga Izraeli që të zotohet për lëshimin e menjëhershëm të ndihmave.

Guterres u tha gazetarëve se OKB-ja do të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të mundësuar çuarjen e ndihmave në brendësi të Gazës.

Vizita e kreut të OKB-së në Rafah vjen në një kohë kur Izraeli përballet me presion global për të mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gaza, rajon që është shkatërruar pas më shumë se pesë muaj luftë mes Izraelit dhe Hamasit.

Shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë strehuar në Rafah, zonë e cila po përballet me një katastrofë humanitare, duke rrezikuar që të shkohet drejt një urie të skajshme nëse nuk lëshohen ndihmat.

Tv Klan