Grupi militant palestinez Hamas liroi tre pengje izraelitë në këmbim të 183 të burgosurve palestinezë në fazën e fundit të një marrëveshjeje armëpushimi.

Ohad Ben Ami dhe Eli Sharabi, të dy të marrë peng nga Kibbutz Be’eri gjatë sulmit ndërkufitar të udhëhequr nga Hamas më 7 Tetor 2023, dhe Or Levy, rrëmbyer nga festivali i muzikës Nova, dolën në podium ku u intervistuan shkurtimisht nga militantët e Hamasit.

Pengjet i bënë thirrje Izraelit që të pajtohet me fazat e ardhshme të armëpushimit. Anëtarët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kryen procedurat e fundit për lirimin e tyre.

Ata kaluan kufirin Izrael-Gaza dhe u dërguan në një bazë ushtarake për një kontroll fillestar mjekësor dhe më pas  transferohen nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.

Entuziazëm, lotë edhe frikë përjetuan familjet e pengjeve që për më shumë se 15 muaj pritën në ankth se për fatin e të afërmve të tyre. Brohoritjet shpërthyen në sheshin qendror të Tel Avivit ku ishin të mbledhur qindra njerëz për të parë lirimin ndërsa tre burrat u shfaqën në ekran.

Selia e Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura në një deklaratë bëri të ditur se “imazhet shqetësuese nga lirimi i Ohad, Eli dhe Or shërbejnë si një tjetër provë e dhimbshme  dhe nuk ka kohë për të humbur për të liruar edhe pengjet e mbetur”.

Negociatat për fazën e dytë të armëpushimit pritet të nisin të hënën, por ende nuk dihen detaje për bisedimet.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pas këtij këmbimi, një delegacion izraelit do të niset për në Doha për diskutime të mëtejshme. Në fazën e dytë synohet lirimi i më shumë pengjeve dhe hapja e rrugës për përfundimin e përhershëm të luftës.

Tv Klan