Kryeministri Edi Rama thotë se Europës i duhet një politikë e përbashkët emigracioni për të parandaluar shfrytëzimin e tij për politikë. Në një intervistë dhënë në Madrid për gazetën “El Mundo” thotë se nuk është i shqetësuar për vendimet e gjykatave që po bllokojnë marrëveshjen me Italinë.

“Ne nënshkruam marrëveshjen dhe është Italia që e zbaton, sepse ne nuk jemi pjesë e saj. Ne thjesht përgjigjemi kur fqinji ynë na kërkon ndihmë. Evropa duhet të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, e cila shmang përdorimin politik dhe të mbrojë kontrollin kufitar, por edhe të hapet ndaj imigracionit legal”, tha Rama.

Sipas tij nuk ka shqetësim as për bllokimin në Shqipëri të emigrantëve afganë pas vendimeve të Trump.

“Nuk do të ketë asnjë problem me refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri. Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë këtë, nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Këto nuk janë shifra të mëdha për ne, janë vetëm disa qindra njerëz”, tha Rama.

Nuk komenton idenë e Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Mendoj se plani duhet të qartësohet, të kuptohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e tjerë. Është ende herët”, tha Rama.

Për zgjedhjet në Kosovë thotë se nuk ka preferenca.

“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me shumë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. E uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë. Kosovarëve u uroj gjithë të mirat për çfarëdo vendimi që do të marrin”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa tek protestat në Serbi sheh një problem edhe tek opozita.

“Problemi që kam me opozitën serbe është, pa hyrë në dinamikën e politikës së brendshme, se ajo nuk duket më pro-evropiane apo pro-perëndimore se sa presidenti. Sa i përket Kosovës, ata nuk duket të jenë më përparimtarë”, tha Rama.

Rama shpreh bindjen për mbylljen e negociatave me BE brenda 2027-ës dhe synimin për t’u bërë anëtar i unionit në 2030-ën. Pas shtysës që i dha integrimit lufta në Ukrainë, Rama tha se shpresonte që edhe rikthimi i Trump të ishte një tjetër thirrje zgjimi për Europën.

Tv Klan