Komisioneri evropian Johannes Hahn nëpërmjet një letre të adresuar për shqiptarët ka reaguar për krizën politike që ka kapluar vendin tonë.
Ai ka vënë theksin mbi përpjekjet për të nxitur dialogun politik dhe se të gjitha kërkesat e palëve janë dëgjuar.
Hahn shtoi se zgjedhjet duhet të mbahen më 18 qershor pavarësisht rrethanave dhe BE do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor.
Letra e plotë e Hahn
“
Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq,
Me shqetësim të madh po ju drejtohem sot.
Gjatë javëve të fundit janë bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë mua personalisht, si edhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për të arritur një zgjidhje të krizës.
U ofruan disa mundësi, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit të përmbushin përgjegjësinë e tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Pra sot, jemi në një situatë kur janë përcaktuar zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.
Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në këto zgjedhje. Unë duhet ta respektoj atë, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhjen time të thellë për këtë vendim nga pikëpamja demokratike.
Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë një ofertë të gjerë politike dhe mbështeten në standardet zgjedhore. Gjithsesi, procesi demokratik duhet të vijojë, ndonëse disa vendosin të qëndrojnë prapa.
Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.
Institucioni europian më kompetent për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – kohët e fundit ka nisur aktivitetet e vëzhgimeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm që e mbështesim fuqishem ODIHR-in, por presim gjithashtu që të gjitha institucionet përkatëse në Shqipëri, të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë në misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe ditën e zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë në mënyrën më të mirë rolin e tyre thelbësor dhe vlerësimin e zgjedhjeve.
Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj me forcë çdo njoftim që bën thirrje për “veprime” që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike, pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo jo, të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë në vendin tuaj, nga të gjitha anët.
Në këtë drejtim lejomëni të them edhe diçka tjetër. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.
Kam besim të plotë se popullit shqiptar, do të kërkojë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet nga një vend që aspiron të jetë anëtar i Bashkimit Europian.
Le të jemi të qartë: Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.
Bashkimi Europian do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Madje më e rëndësishmja është se, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
/
tvklan.al