Pas ushtares 20-vjeçare Arbel Berger, Hamasi dorëzoi gjatë ditës edhe pengjet e tjera. E para që u lirua në Xhabalia ishte kjo ushtare e re e cila iu dorëzua përfaqësuesve të Kryqit të Kuq, të cilët e dërguan në territorin izraelit ku e pritën me entuziazëm.

Izraelitët u mblodhën në atë që është bërë i njohur si sheshi i pengjeve në Tel Aviv, dhe ndiqnin me lot gëzimi lirimin e pengjeve.

Më vonë u liruan edhe dy pengje të tjera, Gadi Moses, 80 vjeç dhe Arbel Yahud, 29 vjeç.

29-vjeçarja dukej e frikësuar teksa kalonte nëpër një turmë të madhe kur militantët e armatosur e  dorëzuan tek përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në qyteti jugor të Khan Younis.

Me grupin e tretë të pengjeve u liruan edhe 5 shtetas tajlandezë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se pamjet e dorëzimit të pengjeve mes turmave të shumta ishin tronditëse dhe kërcënoi me vdekje këdo që lëndonte pengjet.

Ai u kërkoi ndërmjetësuesve që të sigurojnë që skena të tilla të mos përsëriten më. Netanjahu urdhëroi shtyrjen e lirimit të të burgosurve palestinezë.

Disa orë më vonë, autobusët me të burgosurit e liruar palestinezë mbërritën në qytetin Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor. Sipas marrëveshjes u liruan 110 të burgosur palestinezë.

Të burgosurit u pritën nga turma që brohoriste në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli.

Më i njohur mes këtij grupi palestinezësh Zakaria Zubaidi, një nga udhëheqësit e grupit Brigada e Martirëve të Al-Aksa, krahu i armatosur i Fatahut, rivali i Hamasit. Ai u arratis nga burgu në vitin 2021 me tre të burgosur të tjerë, por më pas u kap përsëri.

Klan News