Pasi mori një propozim nga ndërmjetësuesit për të vazhduar negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit grupi militant Hamas ka rënë dakord për lirimin e ushtarit të rrëmbyer Edan Alexander, i cili është shtetas amerikan, së bashku me katër trupa pengjesh.
Në takimet midis liderëve të Hamasit dhe negociatorit amerikan të pengjeve Adam Boehler në ditët e fundit u kërkua lirimi i 21-vjeçarit nga New Jersey, i cili shërbeu si ushtar izraelit.
I dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë në fillim të Marsit se lirimi i ushtarit i cili besohet se është amerikani i fundit i gjallë që mbahet ende peng ishte një “prioritet kryesor”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të zgjidhin mosmarrëveshjet midis grupit militant islamik dhe Izraelit për të rifilluar negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, në mënyrë që të lirojnë pengjet e mbetura në Gaza dhe të lehtësojnë hyrjen e ndihmave në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Faza e dytë përfshin bisedimet për një marrëveshje për tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga enklava. Izraeli kërkon që grupi militant palestinez të lirojë pengjet e mbetura pa filluar negociatat e fazës së dytë.
Klan News