Të paktën 9 palestinezë humbën jetën të shtunën, mes të cilëve gazetarë lokalë, prej sulmeve ajrore të Forcave te Armatosura të Izraelit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, veç viktimave në sulmin e kryer në qytetin verior të Beit Lahiya, pati dhe një numër personash të lënduar.

Sipas dëshimitarëve, disa persona humbën jetën dhe disa të tjerë u lënduan kur një automjet u godit prej një sulmi ajror të ushtrisë së Izraelit.

Sipas kolegëve të gazetërve që humbën jetën, ata ndodheshin në një mjet për të kryer një mision bamirësie të mundësuar nga Fondacioni Al-Khair në Beit Lahiya. Mediat palestineze pohuan se mes viktimave jane tre gazetarë palestinezë, sipas Reuters.

Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme në objektiva të cilat sipas tyre janë cilësuar si “terroristë”. Ata thanë se sulmi kishte si synim të eliminonte persona të pajisur me dron, te cilët paraqisnin rrezik për forcat e armatosura izraelite në Beit Lahiya.

Incidenti tregoi edhe njëherë brishtësinë e marrëveshjes së armëpushimit të 19 Janarit që ndaloi luftimet në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës.

Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, dhjetëra njerëz janë vrarë nga zjarri izraelit pavarësisht armëpushimit.

Zyrtarë të Hamasit thanë se Izreali nuk po e zbaton marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Janar dhe se prej atëherë kanë humbur jetën 150 palestinezë.

Ata kërkuan gjithashtu nga ndërmjetësuesit në bisedimet për paqen që të shtyjnë Izraelin të zbatojë hap pas hapi marrëveshjen dhe akuzuan Kryeministrin izraelit Netanjahu për ngërçin aktual.

/tvklan.al