Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar trajtim serioz të draftit të statuti të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, ky draft nuk është i mirë dhe i njëjti duhet të trajtohet  seriozisht  nga Gjykata Kushtetuese.

Thotë se Asociacioni është pranuar nga krerët e shtetit me letrën e dërguar në Këshillin e Evropës. Ndërsa për kryeministrin Kurti thotë se po tenton “ta fshehë turpin” që sipas tij, e ka bërë gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare.

“Pak a shumë kjo nuk është serioze sjellja e tij, si ajo shprehja ‘as asi as ksi’. Nuk është ashtu, për fat të keq vetë qeveria e kryeministri e kanë pranuar. Është e vërtetë që ky draft nuk është i mirë, pra drafti që kemi sot propozim nga BE-ja nuk është i mirë. Ai meriton trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese. Jemi në zgjedhje dhe don që ta fshehin marren edhe ato që i kanë bërë, gabimet që i kanë bërë që e kanë udhëhequr dialogun. I kanë lutur për shumë kohë Amerika pikërisht Konjufcen, Kurtin e këtë që të japin një propozim nuk e kanë dhënë”, ka thënë ai.

Ai e quan amator politik Kryeministrin Kurti.

“Fatkeqësisht tash kemi propozime të BE-së, këta po dëshirojnë që të fshehin këtë faj është faji i tyre realisht. Kurti nuk e ka kuptuar, nuk ka strategji të vetën, ai nuk është strateg, ai shihet që është një amator në politikë. Ai i ka mbivlerësuar këtë fitore ditore për shkak të pak votave i ka harruar sa e rëndësishëm është NATO, çka do të thoshte për Kosovën sikur të anëtarësoheshim në NATO. Do të zgjidhej çështje e sigurisë e rendi dhe ligjit në gjithë Kosovën e në veri, do ta bënim një kthesë të madhe ekonomike, politike gjithanshme. Gjitha këto zgjedhje të tij kanë shkaktuar shumë pasoja, përfshirë edhe sanksionet”.

Themelimi i Asociacionit është një nga pikat e marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë Serbi për cka faktori ndërkombëtar po kërkon me ngulm zbatimin e tyre. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se ndonëse s’ka pasur hapa pozitivë në rrugën drejt normalizimit të raporteve, është optimist se Kosova e Serbia kanë bërë përparime në disa çështje. Takimi i fundit Kosovë-Serbi u mbajt të enjten e kaluar në Bruksel por pa ndonjë rezultat konkret.

Tv Klan